OJQ Horizonti i Ri organizoi aktivitetin përmbyllës të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME” i cili zgjati plot 11 muaj. Pjesëmarrësit e programit tonë patën mundësinë të bisedojnë me të ftuarit special nga Tivati; aktivistët rinor nga Qendra Alternative Krijuese dhe në këtë mënyrë të zgjerojnë edhe më tej njohuritë e përfituara ne lidhje me politikat rinore.

Duke pasur parasysh përvojën e deritashme te kolegëve nga Tivati në fushën e demokracisë pjesëmarrëse në nivelin lokal dhe shtetëror, si dhe në hartimin e politikave rinore, grupi ynë i aktivistëve të rinj pati mundësinë të përfitojë njohuri të dobishme për mënyrën e zbatimit të vendimeve si në fushat që kanë të bëjnë me të rinjtë dhe të drejtat e tyre, ashtu edhe për mundësitë e tyre për pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes. Përndryshe, Komuna e Tivatit konsiderohet si një shembull i praktikës së mirë në Mal të Zi në fuqizimin e partneritetit me qytetarë, veçanërisht me të rinjtë dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ky aktivitet shënon përmbylljen e procesit të fuqizimit të kompetencave të liderëve të rinj në fushën e politikës rinore në nivelin lokal, i cili gjatë kohëzgjatjes së projektit kaloi nëpër disa faza, duke filluar nga programi trajnues i cili për tre muaj me radhë u zhvillua në Këndin për të Rinj të Bibliotekës së Qytetit – Ulqin, vizitave studimore në organet e Administratës së Komunës dhe Parlamentit Lokal, e deri te realizimi praktik i hulumtimit në terren dhe botimi i publikimit me rezultatet e hulumtimit “ZËRI I QYTETARËVE PËR QEVERISJE TË MIRË”.

Me këtë aktivitet finalizohet projekti “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, i cili gjatë 11 muajve të kaluar u realizua në partneritet me OJQ “Ul Info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin, mbështetur nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të konkursit publik “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike.