Analiza me titull “Pse duhen pyetur të rinjtë?” sjell një pasqyrë të qartë dhe aktuale të aspiratave, nevojave dhe pikëpamjeve të të rinjve në Ulqin. Përmes anketimit të 200 të rinjve të moshës 14 deri në 30 vjeç (me një përfaqësim prej 73% vajza e 27% djem, si dhe 65% nga zonat urbane e 35% rurale), studimi nxjerr në pah rezultatet domethënëse për komunitetin lokal.
Edhe pse aktualisht të rinjtë shihen thjesht si përfitues pasivë të politikave, rezultatet dëshmojnë se ata kërkojnë të dalin nga ky rol dhe të bëhen aktorë aktivë në transformimin e komunitetit lokal.
Mundësitë e punësimit mbeten një nga temat më kryesore për të rinjtë. 70,6% e të anketuarve vlerësojnë se diploma ose shkollimi formal nuk u ofron përgatitjen e mjaftueshme praktike për tregun e punës. Analiza nxjerr në pah nevojën për një lidhje më të fortë mes arsimit dhe kërkesave reale të ekonomisë, veçanërisht sa i përket aftësive praktike, digjitale dhe frymës së sipërmarrjes.
Të rinjtë kërkojnë më shumë se thjesht dëgjim sipërfaqësor — ata duan që propozimet dhe shqetësimet e tyre të merren parasysh gjatë hartimit të politikave rinore. Shifrat tregojnë një neglizhencë institucionale, ku 70,3% e pjesëmarrësve shprehen se zëri i tyre nuk dëgjohet sa duhet në nivel lokal. Megjithatë, gjetjet tregojnë se kur institucionet krijojnë hapësira reale konsultimi dhe u japin besim të rinjve për të kontribuar në vendimet që lidhen me mjedisin, kulturën apo infrastrukturën rinore, 96,8% e tyre shprehin gatishmëri për t’u angazhuar në punë vullnetare e përgjegjësi qytetare.
Një nga aspektet më shqetësuese të studimit lidhet me tendencën e emigrimit. Të dhënat tregojnë se 59,8% e të anketuarve e shohin të ardhmen e tyre jashtë Ulqinit për shkak të mundësive më të mira për arsimim, punësim dhe një cilësi më të mirë jetese. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme prej 40,2% shprehen se preferojnë të ndërtojnë të ardhmen këtu — me kusht që të ndihen të vlerësuar dhe të shohin një perspektivë të qartë zhvillimi. Ndjesia e përkatësisë dhe besimi se zëri i tyre ka peshë janë faktorët kyç që ndikojnë në vendimin e tyre për të qëndruar.
Rezultatet e studimit konfirmojnë se edukimi joformal luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e arsimit formal. 83,0% të rinj pohojnë se pjesëmarrja në punëtori dhe trajnime jashtëshkollore u ka rritur vetëbesimin dhe aftësitë komunikuese. Përmes metodologjive interaktive, punëtorive, debatit të hapur dhe të mësuarit nga përvoja, edukimi joformal u ofron të rinjve një ambient mbrojtës ku ata mund të eksperimentojnë, të gabojnë pa frikën e gjykimit dhe të zbulojnë potencialin e tyre. Ky proces u zhvillon atyre “soft skills” apo aftësitë e buta — si të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve, komunikimin ndërkulturor dhe punën në ekip. Mbi të gjitha, ai shërben si një katalizator i vetëbesimit, duke i shndërruar të rinjtë nga vëzhgues pasivë në udhëheqës të sigurt dhe qytetarë aktivë të së nesërmes.
Më tej se thjesht identifikimi i sfidave, kjo analizë shërben si një platformë konstruktive dialogu. Ajo ofron rekomandime konkrete për institucionet arsimore, pushtetin vendor, politikëbërësit, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile. Rekomandimet synojnë krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të konsultimit, përmirësimin e politikave rinore lokale e kombëtare, si dhe ngritjen e urave të forta të bashkëpunimit ndërinstitucional për të mbështetur zhvillimin profesional dhe personal të brezit të ri.
Kjo analizë është pjesë e projektit “Të rinjtë liderë – nga ideja te ndikimi”, të cilin OJQ “Horizont i Ri” e realizon në bashkëpunim me organizatën “Këndi i Tolerancës”, me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë.
Publikimin e plotë mund ta gjeni KËTU








