Të mërkurën, më 8 korrik 2026, në ambientet e Qendrës Burimore OJQ “Horizonti i Ri”, u zhvillua një takim konsultativ me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile lokale dhe krijues individualë. Fokusi kryesor i këtij takimi ishte analiza e rezultateve të konkursit të fundit për vitin 2026 të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave — një proces që ka ngjallur pakënaqësi të madhe në rajonin tonë. Takimi u thirr si një nevojë urgjente e vetë organizatave lokale, të cilat prej disa vitesh po përballen me një politikë të theksuar eliminuese të projekteve që vijnë nga rajoni bregdetar i Malit të Zi, e në veçanti nga Ulqini.
Mosvlerësimi i vazhdueshëm dhe eliminimi sistematik në disa konkurse radhazi ka sjellë një pasojë të pashmangshme: në konkursin e fundit është vërejtur një abstenim i theksuar i aplikimeve, sidomos nga komuna e Ulqinit. Organizatat dhe krijuesit lokal kanë humbur besimin te transparenca e këtij institucioni. Gjatë takimit u trajtuan edhe interpretimet e drejtuesve të Fondit, që rënien e numrit të aplikimeve nga rajoni jugor e ndërlidhin me angazhimet e mundshme të organizatave në fushën e turizmit. Të pranishmit sqaruan se ky qëndrim nuk pasqyron shkaqet e vërteta të situatës, duke nënvizuar se ky abstenim nuk vjen nga pasiviteti apo mungesa e dëshirës për të konkurruar, por është një reflektim i shqetësimeve të grumbulluara ndër vite ndaj kritereve të vlerësimit.
Për të zbërthyer këtë problematikë, në cilësinë e panelistëve ndanë përvojat e tyre Ismet Kallaba nga OJQ “Art Club” dhe Hatixhe Nelaj nga “SOS Telefoni – Ulqin”, nën moderimin e koordinatorit të Qendrës Burimore, Nazif Veliqi. Gjatë diskutimit, Ismet Kallaba vuri theksin te goditja e drejtpërdrejtë që ky mosvlerësim u bën krijuesve individualë dhe jetës kulturore që tradicionalisht ka pasur jetëgjatësi në këtë fond. Nga ana tjetër, Hatixhe Nelaj analizoi pasojat e rënda që sjell mungesa e mbështetjes institucionale për organizatat që janë vazhdimisht të angazhuara në terren për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pakicave.
Ky takim shërben si një thirrje e hapur për reflektim institucional. Konkluzionet e dala do të formalizohen së shpejti në një qëndrim zyrtar të përbashkët, i cili do t’u dërgohet niveleve më të larta vendimmarrëse për të kërkuar transparencë dhe një rishikim të plotë të kritereve të ndarjes së mjeteve nga ky Fond, me qëllim rikthimin e besimit dhe të partneritetit të ndërsjellë.
Ky aktivitet është pjesë e Programit “Rrjeti i qendrave burimore të Malit të Zi”, i cili mbështetet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare, ndërsa zbatohet nga Qendra për Zhvillimin e Organizatatave Joqeveritare (qendra kombëtare burimore), Aktivna Zona, Qendra Demokratike e Bijello Poles dhe Horizontit të Ri (qendra rajonale burimore), si dhe OJQ-të Natura, Bonum dhe Nada në rolin e zyrave lokale.







