OJQ Horizonti i Ri fillon zbatimin e projektit “Të rinjtë liderë: nga ideja tek ndikimi”, i cili është i orientuar drejt fuqizimit institucional të të rinjve nga popujt pakicë. Projekti synon përmirësimin e kompetencave të tyre qytetare dhe udhëheqëse përmes një programi të edukimit joformal, promovimit të punës rinore, si dhe krijimit të mekanizmave konkretë për pjesëmarrjen aktive të të rinjve në proceset e hartimit të politikave publike. Vëmendje e veçantë i kushtohet forcimit të besimit të të rinjve në institucionet vendimmarrëse dhe njohjes së mënyrës së funksionimit të tyre.
Gjatë kohëzgjatjes së projektit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë njohuri praktike dhe të zhvillojnë aftësi kyçe për veprim aktiv dhe të përgjegjshëm në jetën shoqërore, përmes një programi të strukturuar të trajnimit joformal. Aktivitetet e planifikuara përfshijnë organizimin e debateve dhe simulimeve të proceseve të vendimmarrëse, realizimin e një fushate komunikimi, vizita studimore në institucione përkatëse, si dhe zhvillimin e një hulumtimi mbi pozitën e të rinjve, i cili do të rezultojë me përgatitjen e një raporti lokal dhe prezantimin e tij publik. Projekti do të përmbyllet në mënyrë solemne me ceremoninë e ndarjes së diplomave për pjesëmarrësit.
Me realizimin e këtij projekti “Horizonti i Ri” vazhdon misionin afatgjatë në forcimin e kapaciteteve të të rinjve dhe krijimin e një mjedisi nxitës për zhvillimin e tyre personal, shoqëror dhe profesional.
Projekti zbatohet në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të Thirrjes Publike “Të rinjtë – krijuesit e së ardhmes” për financimin e projekteve dhe programeve të organizatave joqeveritare në fushën e kujdesit shoqëror për fëmijët dhe të rinjtë për vitin 2025, e cila mbështetet nga Ministria e Sportit dhe e Rinisë.
REALIZIMI I PROJEKTIT
Më 17 shkurt 2026, në Hotel Nobel në Ulqin, u mbajt prezantimi zyrtar i projektit “Të rinjtë liderë: nga ideja te ndikimi”.
Në këtë ngjarje folën:
✔ Edon Çaushi, nga Komuna e Ulqinit
✔ Kristjan Gjokaj, nga Komuna e Tuzit
✔ Marina Kastrati, nga Qendra për Punë Sociale në Ulqin
✔ Ardita Kovaçeviq, nga Shkolla e Mesme e Përzier “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin
✔ Sehad Ljuljanaj, nga Gjimnazi “25 Maji” në Tuz.
VIZITË STUDIMORE NË KOMUNËN E TUZIT
Më 29.04.2026, Komuna e Tuzit priti nxënësit e shkollave të mesme nga Tuzi dhe Ulqini në një takim të veçantë, duke krijuar një hapësirë të hapur për dialog dhe bashkëbisedim me të rinjtë.
Në takim të rinjve iu drejtuan:
- Fisnik Gjokaj, nënkryetari i Komunës së Tuzit
- Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale
- Naim Gjokaj, sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike
- Rina Muhaj, përfaqësuese e Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Mal të Zi
- Sehad Lulanaj, drejtori i Shkollës së Mesme “25 Maji” në Tuz
- Kujtim Suka, ndihmësdrejtor i Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin
Takimi ishte i fokusuar në politikat rinore dhe përfshirjen e të rinjve në proceset shoqërore dhe publike. U diskutua për mundësitë e pjesëmarrjes aktive të tyre në komunitet, zhvillimin e karrierës dhe aftësive personale, si dhe për programin Erasmus+ dhe programe të tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, u theksua roli i institucioneve lokale dhe i shkollave në fuqizimin e të rinjve, ndërsa pjesa interaktive e takimit u dha mundësi të rinjve të parashtrojnë pyetje dhe të zhvillojnë diskutime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e institucioneve publike.
PUNËTORI PËR LIDERËT E RINJ
Në kuadër të projektit u organizuan punëtori, gjatë të cilave aktivistët e rinj nga Ulqini dhe Tuzi patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja, të njihen më nga afër me programet dhe aktivitetet e shkollës, si dhe të krijojnë forma të reja bashkëpunimi dhe miqësie. Programi përfshiu punëtori tematike dhe sesione interaktive kushtuar lidershipit rinor, teknikave të debatit, të folurit në publik, krijimit të iniciativave rinore dhe pjesëmarrjes aktive në komunitet. Përmes punës praktike dhe diskutimeve, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi të të menduarit kritik, argumentimit, punës në ekip dhe komunikimit publik, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Këto punëtori përfaqësojnë një hap tjetër drejt fuqizimit të të rinjve dhe forcimit të kapaciteteve të tyre udhëheqëse, si dhe nxitjes së bashkëpunimit të ndërsjellë, shkëmbimit të përvojave dhe përfshirjes më aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimin e komuniteteve lokale.
VIZITË STUDIMORE NË KOLASHIN
Në kuadër të projektit u realizua një vizitë në Qendrën Inovative për Zhvillimin e Veriut në Kolashin, ku të rinjtë u njohën me shembuj të praktikave të mira në aktivizmin rinor, inovacionet dhe projektet të dedikuara për të rinjtë.
NDARJA E DIPLOMAVE
Përmbyllja e projektit u shënua me ndarjen e diplomave për të gjithë pjesëmarrësit, duke u shprehur mirënjohje për përkushtimin, angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit.









