Aktivistët rinorë nga Ulqini dorëzuan në sportelet e Komunës së Ulqinit iniciativën për hartimin e Planit Lokal të Veprimit Rinor dhe planifikimin e “buxhetit për të rinj” për vitin 2019. Me këtë rast, ata u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Komunës z. Loro Nrekiq dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim aktivistët rinorë i prezantuan Kryetarit pikëpamjet e tyre rreth nevojës së hartimit të një politike cilësore rinore në komunën tonë dhe të shfaqjes së një përkushtimi më të madh ndaj të rinjve nga ana e Pushtetit Vendor. Në mënyrë ceremoniale ata i dorëzuan Kryetarit edhe iniciativën në formë dokumenti, të nënshkruar nga 78 aktivistë rinorë, me të cilën kërkojnë hartimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit Rinor, në mënyrë që interesat e të rinjve të Ulqinit të realizohen me aktivitete konkrete.
Iniciativa mbështetet në Ligjin për Rininë, i cili në nenin 24 përcakton domosdoshmërinë e vetëqeverisjes lokale që të hartojë planin e vet të veprimit rinor dhe të sigurojë buxhetin e nevojshëm për zbatimin e këtij plani.

Pas takimit me Kryetarin e Komunës, aktivistët rinorë vizituan Byronë Qytetare, e cila paraqet pikën e parë të kontaktit të qytetarëve me administratën e Komunës. Shefi i këtij shërbimi z. Arjan Lamoja organizoi një prezantim të shkurtër për të rinjtë mbi funksionimin e këtij servisi të veçantë për qytetarët.

Kjo iniciativë është rezultat i fuqizimit të kompetencave të liderëve rinorë në komunitet, që u realizua në kuadër të projektit “TË RINJTË MARRIN PJESË, TË RINJTË MARRIN VENDIME”, implementuar nga OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, me mbështetjen e Drejtorisë për Rini në Ministrinë e Sportit të Malit të Zi.

Tekstin e iniciativës rinore mund ta shihni KËTU