Organizata e Shoqërisë Civile ”HORIZONTI I RI” dhe Qendra për Kulturë – Biblioteka e Ulqinit, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shtunën me 28. shkurt organizuan prezantimin e dr Michael Fraizer me temën: “Diversiteti kulturor etnik në SHBA – zgjedhja e Barak Obamës”.

Dr Frazier nga përvoja shumëvjeçare e tij si ligjërues universitar dhe autor i disa librave në temën e multi kulturalizmit, prezantoi eksperiencën amerikane lidhur me diversitetin etnik e kulturor, zhvillimin e tij historik si dhe për profilin e sotëm të shoqërisë amerikane. Vëmendje e veçantë gjatë ligjërimit të tij iu kushtua zgjedhjes se presidentit amerikan Barak Obama, duke analizuar hollësisht format, mjetet dhe instrumentet që u përdorën në fushatën zgjedhore presidenciale, përfshirjen e afroamerikanëve në procesin zgjedhor, inkuadrimin masiv të të rinjve, artistëve, etj.

Duke pasur parasysh që në Mal të Zi janë aktuale si proceset integruese poashtu edhe ata zgjedhore, prezantimi i prof Fraizer u bë edhe më interesant dhe tërheqës për publikun i cili kishte mbushur sallën e Bibliotekës së Ulqinit.
Prezantimet e prof. Fraizer në Mal të Zi u zhvilluan në kuadër të programit “Muaji i kulturës afroaemrikane”, mbështetur nga Ambasada e SHBA në Podgoricë.