Në Ulqin, më datat 26 dhe 27 tetor, organizuam simulimin e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të projektit PEN – Participatory EU Enlargement, me mbështetjen e programit të Bashkimit Evropian CERV – Citizens, Equality, Rights and Values.
Aktiviteti dyditor mblodhi pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ndër të cilët ishin aktivistë rinorë, punonjës të arsimit, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave joqeveritare, si dhe ekspertë nga fusha të ndryshme. Përmes simulimit të procesit negociues, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me mënyrën e funksionimit të negociatave të anëtarësimit, fazat kryesore të tyre, rolet e aktorëve të ndryshëm, si dhe sfidat që shoqërojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Për rrugëtimin aktual evropian të Malit të Zi foli Arta Lika, shefe e Sektorit për Monitorim në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, e cila prezantoi fazën aktuale të procesit negociues dhe perspektivat për përparimin e mëtejshëm.
Duke sjellë perspektivën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përvojat dhe këndvështrimet e tij mbi procesin e anëtarësimit i ndau gjithashtu edhe Csaba Törö, diplomat hungarez i cili ofron mbështetje për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, theksoj rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërkombëtare në rrugën drejt anëtarësimit.
Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua hapave të ardhshëm të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe mundësive për shfrytëzimin e fondeve evropiane dhe formave të tjera të mbështetjes financiare të disponueshme gjatë procesit të anëtarësimit.
Pjesën praktike të punëtorisë e drejtua nga trajneret Sabra Decević dhe Dijana Uljarević Božanović, të cilat, përmes metodave interaktive dhe simulimit, u mundësuan pjesëmarrësve të kuptojnë nga afër dinamikën e negociatave, të shqyrtojnë pozicionet dhe rolet e ndryshme negociuese, si dhe të kuptojnë rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe harmonizimit të qëndrimeve në procesin e zgjerimit.
Aktiviteti kontribuoi në thellimin e njohurive dhe përmirësimin e të kuptuarit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe dialogun rajonal mbi integrimin evropian, si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në formësimin e së ardhmes evropiane.
Projekti PEN – Participatory EU Enlargement synon fuqizimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e të kuptuarit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përfshirjes së qytetarëve dhe aktorëve relevantë shoqërorë në këtë proces.








