OJQ Horizonti i Ri realizon projektin e ri ,,Rrugë të sigurta në vendin tim“ i cili ka për qëllim përmirësimin e njohurive të nxënësve të shkollave fillore për rreziqet në trafik dhe sigurinë rrugore.

Duke pasur parasysh që në qytetin tonë ka mungesë të programeve që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, dedikuar posaçërisht fëmijëve dhe të rinjve, projekti parasheh realizimin e një cikli aktivitetesh edukative me qëllim të promovimit të sigurisë rrugore në qytetin tonë.
Gjatë punës së vazhdueshme me nxënës, Horizonti i Ri ka evidentuar se është e nevojshme që kjo grupmoshë të informohet se cilat mund të jenë sfidat kryesore në trafikun rrugor, që ata të njohin sjelljet e rrezikshme në rrugë dhe veprimet e sigurta; të jenë të aftë të përshkruajnë mënyrën e sigurt të përdorimit të biçikletës apo trotinetit elektrik në rrugë dhe në mjedise publike.
Megjithëse nxënësit e shkollave fillore mund të kenë njohuri të përgjithshme për rregullat e trafikut rrugor, si sinjalet, shenjat e rrugës, rregullat e qarkullimit, etj., nuk ka asnjë garanci se ata janë të aftë për t’i zbatuar ato si duhet kur janë vetëm në trafik. Kjo kërkon që procesi i të mësuarit të mbështetet me modele konkrete të sjelljes në trafik, të paraqitura me një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë e që më së miri mund të arrihet përmes programeve të edukimit joformal.
Projekti do të fillojë me sesione edukative përmes të të cilave pjesëmarrësit do të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushën e sigurisë në trafikun rrugor. Pjesë e këtyre sesioneve do jenë dhe aktivitetet praktike në poligone me instruktorë profesionist të trafikut rrugor si dhe organizimi i ngjarjeve publike sensibilizuese.
Projekti do te fokusohet edhe në sfidën më të re të sigurisë në komunikacion, që është përdorimi i trotineteve elektrik nga të rinjtë.
Rëndësi e veçantë do t‘i kushtohet fushatës në rrjete sociale që do zgjasë gjatë gjithë implementimit të projektit. Kjo fushatë ka për qellim ndërgjegjësimin e qytetarëve të të gjitha moshave për rëndësinë e pjesëmarrjes së sigurt në trafikun rrugor, postime të ndyshme për evidentimin e problemeve aktuale dhe shpërndarjen e rekomandimeve, udhezimeve, videove dhe materialeve tjera.

Ky projekt mbështetet nga Ministria Investimeve Kapitale e Malit të Zi, në kuadër të konkursit publik për financimin e projekteve të OJQ-ve, për vitin 2021.


Logot - TRAFIKU