Financimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve nga buxheti i Komunës së Ulqinit është një nga format e bashkëpunimit në mes të Vetëqeverisjes Vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. Kjo formë e bashkëpunimit praktikisht do të thotë se Komuna e Ulqinit nga buxheti i vet financon realizimin e projekteve të cilët njëkohësisht janë edhe prioritet i programeve, planeve dhe strategjive që ajo ka miratuar.

Financimi i projekteve të OJQ-ve në Mal të Zi është i rregulluar me Ligjin për Organizatat Joqeveritare, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave.

Në nivelin lokal situata qëndron pak më ndryshe. Kur vetëqeverisja lokale vendosë të mbështesë projekte dhe programe të OJQ-ve dhe këtë çështje e rregullon me një vendim të veçantë, atëherë ajo është e detyruar ta zbatojë këtë vendim.

Komuna e Ulqinit nuk ka shpallur konkurs publik për financimin e projekteve të OJQ-ve lokale për vitet 2018, 2019 dhe 2020. Mirëpo ky fakt nuk nënkupton që Komuna gjatë kësaj periudhe të mos ketë ndarë fonde nga buxheti i saj për organizatat joqeveritare. Kështu, pa një procedurë publike dhe të përcaktuar me aktin që e rregullon këtë çështje, me vendim të Kryetarit të Komunës, për këto tre vite janë ndarë mbi 22.000 euro për OJQ-të lokale.

Me këtë rast duhet nënvizuar fakti se Pushteti aktual në Komunën e Ulqinit, në mandatin e deritanishëm, nuk ka shpallur asnjë konkurs publik për organizatat joqeveritare.

Një parakusht i rëndësishëm që projektet e OJQ-ve të financohen nga buxheti i Komunës me mjetet e taksapaguesve, është që ata të jenë në interesin e përgjithshëm publik dhe të jenë të lidhur drejtpërdrejtë me politikat vendore (vendimet, planet, programet dhe strategjitë e Komunës). Ne këtë kontekst, OJQ-të në Ulqin njihen tashmë jo vetëm në nivelin lokal, por shumë më gjerë, si subjekte të cilat japin një kontribut të çmueshëm në realizimin e politikave publike dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët dhe mbarë komunitetin.

Për hirë të opinionit të gjerë, dëshirojmë të theksojmë se organizatat e shoqërisë civile nuk janë të zëshme vetëm për të kërkuar mjete financiare. Ato janë shumë aktive edhe në hartimin dhe zbatimin e politikave publike. Ka disa vite që përsëriten kërkesat tona për formimin e Këshillit për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Vetëqeverisjes Lokale, për formimin e Këshillit për Bashkëpunimin e Vetëqeverisjes Lokale me OJQ-të; për miratimin e Vendimit për Pjesëmarrjen e Qytetarëve në Kryerjen e Punëve Publike, etj.

Kështu pra, financimi i OJQ-ve nga Buxheti i Komunës, duhet të paraqesë realizimin e politikave dhe shërbimeve publike të Qeverisjes Vendore. Prandaj, në qoftë se financimi i tillë kuptohet dhe organizohet mirë nga Administrata e Komunës, atëherë kjo nuk përfaqëson një shpenzim, por në të vërtetë një investim në zhvillimin e komunitetit në fusha të ndryshme.