Javën që shkoi, OJQ Horizonti i Ri prezantoi para zyrtarëve të Vetëqeverisjes Lokale, institucioneve publike dhe aktorëve të tjerë vendorë, dokumentin  “Plani Lokal për Punësueshmërinë e të Rinjve të Komunës së Ulqinit”.
Ky plan paraqet një vlerë të shtuar për Komunën e Ulqinit, pas miratimit të Strategjisë së Punësimit për periudhën 2021-2025. Plani është krijuar si një dokument zhvillimor i cili potencon kujdesin ndaj të rinjve si një fushë me rëndësi të veçantë për të përmirësuar pozitën dhe punësimin e të rinjve në komunën tonë.
Për hartimin e këtij dokumenti Horizonti i Ri ka ngritur një grup të veçantë pune, të formuar ekskluzivisht nga aktivistë rinorë dhe të udhëhequr nga ekspertë me përvojë në krijimin e politikave rinore.
Vizioni i Planit të Punësueshmërisë është: Komuna e Ulqinit – një vend me arsim cilësor dhe mundësi të barabarta punësimi për të gjithë të rinjtë.

Gjatë prezantimit të Planit, të pranishmit njëzëri potencuan nevojën që në Ulqin duhet bërë më shumë përpjekje për promovimin e ndërmarrësisë përmes një bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërsektorial, por edhe të punohet më shumë në lidhjen e shkollave të mesme me sektorin e biznesit, veçanërisht me kompanitë turistike, të cilat mund të kontribuojnë fuqishëm në përfitimin e përvojës së të rinjve në punë. Në takim po ashtu u theksua se zhvillimi i frymës sipërmarrëse duhet të fillohet të ushqehet te nxënësit që nga shkolla fillore e deri te kolegjet, për t’u dhënë mundësi të rinjve të fitojnë shprehitë e punës në kohën e duhur. Kjo sepse, ndërmarrësia konsiderohet si një nga mënyrat më adekuate për zgjidhjen e problemeve, për krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e standardit të jetesës dhe pavarësinë ekonomike të të rinjve. Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Komunës së Ulqinit z. Beqir Sella deklaroi se Komuna e Ulqinit për vitin 2023 do të zgjerojë buxhetin vet, duke rritur numrin e aktiviteteve dhe projekteve që u dedikohen të rinjve, ndërsa Kryetari i Parlamentit Lokal z. Ardijan Mavriq theksoi se Kuvendi i Komunës së Ulqinit do të jetë gjithmonë i gatshëm të miratoj vendime, plane dhe strategji të cilat ndihmojnë në zhvillimin dhe afirmimin e potencialeve të të rinjve.

5

Objektivat kryesore të përcaktuara në këtë plan janë: rritja e punësueshmërisë së të rinjve përmes fuqizimit të kapaciteteve për të filluar një biznes të vetin; harmonizimi i programeve formale dhe joformale për përvetësimin e njohurive dhe aftësive për kërkesat e tregut të punës; rritja e mundësive për të rinjtë e moshës 15-30 vjeç për të fituar përvojën e tyre të parë të punës si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e punësueshmërisë të të rinjve ndërmjet partnerëve socialë të relevantë (institucioneve arsimore, pushtetit vendorë, OJQ-ve, dhomës zejtare, kompanive hoteliere, organizatës turistike, etj).
„Në këtë mënyrë, synojmë të ndërtojmë një komunitet lokal më të drejtë, më gjithëpërfshirës, ​​më të pasur dhe më të larmishëm, që u ofron të rinjve mekanizmat, burimet dhe mundësitë e nevojshme për të marrë pjesë në mënyrë aktive në tregun e punës“ theksuan nga Grupi Punues i cili ka hartuar këtë plan.
Dokumenti i është dorëzuar Qeverisjes Vendore të Ulqinit dhe institucioneve tjera publike relevante me qëllim të dhënies së sugjerimeve dhe mendimeve për miratimin dhe zbatimin përfundimtar të tij.

Ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit” i cili realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian: Programi IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri. Projekti zbatohet nga organizata World Vision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra. Projekti bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

 

LOGO EU - CBC - MJU

LOGO_PARTNERS_CBC