Idetë e biznesit dhe vënia e tyre në jetë janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë të cilët duan të shprehin talentin e tyre, por edhe të ndihmojnë familjet edhe komunitetin ku jetojnë.
Në hapat e parë të krijimit të një biznesi, ka gjithnjë hapësirë për mbështetje financiare apo oferta e këshilla që të shtyjnë drejt suksesit. Këto mundësi i kanë gjetur edhe pjesëmarrësit e guximshëm të projektit “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit”.
Fuqizimi i kapaciteteve dhe krijimi i mundësive ekonomike për të rinjtë që jetojnë në rajonin ndërkufitar, duke kontribuar kështu në rritjen e konkurrencës ndër të rinjtë në tregun lokal dhe regjional të punës, është njëri prej qëllimeve kryesore të këtij projekti.
Programet e specializuara të këtij projekti, ofruan trajnime profesionale mbi ndërmarrësinë dhe krijimin e bizneseve të reja për të rinjtë në Ulqin. Përgjatë kohëzgjatjes së projektit, këto programe ndihmuan të rinjtë të zhvillojnë ide të reja biznesi, me qëllimin për të krijuar mundësi të reja punësimi.

Në një ceremoni rasti të organizuar në Shkollën e Mesme “Vëllazërim Bashkim” të Ulqinit, pjesëmarrësit e projektit paraqitën idetë e tyre përpara një paneli vlerësues dhe një auditori të gjerë, duke marrë njëkohësisht edhe këshilla konstruktive për t’i ndihmuar ata të ecin përpara me planet e tyre të biznesit. Nga njëmbëdhjetë idetë e prezantuara, pesë prej tyre u përzgjodhën nga paneli vlerësues për tu mbështetur financiarisht nga projekti. Secila prej këtyre ideve do të mbështet në vlerën prej 2000 € dhe për realizimin e tyre do të organizohet një program i veçantë ekspertize. Të rinjtë fitues të këtij programi mbështetës janë:
REFIK MOLLABEQIRI
KRISTINA NILOVIQ
ARBER SEFERI
MENDIM CUCA
VALBONA GJEKA

Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian: Programi IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020, i cili zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra. Projekti bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

LOGO EU - CBC - MJU

LOGO_PARTNERS_CBC