Horizonti i Ri nis zbatimin e projektit të ri “Sfidat e raportimit mediatik në gjuhën shqipe”.
Projekti synon forcimin e kapaciteteve të mediave në Mal të Zi që raportojnë në gjuhën shqipe ose kanë redaksi të veçanta në këtë gjuhë, si dhe të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Qëllimi i projektit është që të ofrojë mbështetje për gazetarët dhe aktivistët civilë për të ushtruar aktivitetin e tyre profesional, siç është: e drejta për lirinë e shprehjes, sfidat e përditshme të zbatimit të etikës gazetareske, privatësi dhe gjykim të drejtë dhe qasje të lirë në informacionin me interes publik. Poashtu ky projekt synon të ofrojë mbështetje për gazetarët dhe aktivistët civilë për t’u avancuar në punën e tyre në mënyrë profesionale si dhe për të gëzuar besimin e publikut.
Përmes këtij projekti, do të organizohen tre cikle trajnimi për target grupin e përzgjedhur.
Ky program do të përfshijë tema të tilla si:
- Liria e shprehjes dhe roli i mediave në kontekstin social,
- Marrëdhënia ndërmjet të drejtës së lirisë së shprehjes dhe të drejtës për privatësi,
- Etika në media: gazetarët dhe proceset demokratike
- Roli i gazetarëve në debatin publik
- Gjuha e urrejtjes në media
- Gazetaria investigative politike (çfarë marrëdhëniesh duhet të krijohen me politikanët);
- Raportimi për të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtat e pakicave në media etj
Projekti zbatohet në partneritet me OJQ Eduko Plus nga Tivari, si pjesë e konkursit publik “Diversiteti pasuron Malin e Zi” për financimin e projekteve dhe programeve të organizatave joqeveritare në fushën e “Mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe komunitetet e tjera kombëtare pakicë për vitin 2024”, e cila mbështetet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.