Të mërkurën, më 11 shkurt, në ambientet e Qendrës Burimore “Horizonti i Ri” në Ulqin, u zhvillua takimi konsultativ me organizatat e shoqërisë civile, në kuadër të hartimit të Strategjisë së re të bashkëpunimit ndërmjet administratës shtetërore dhe OJQ-ve për periudhën 2027–2031.

Në këtë aktivitet u prezantua niveli i zbatimit të Strategjisë së mëparshme (2022-2026), ndërsa më pas u zhvillua një diskutim i hapur mbi sfidat dhe nevojat e sektorit joqeveritar, të cilat do të merren parasysh gjatë hartimit të dokumentit të ri strategjik. Përveç organizatave joqeveritare, një kontribut të çmuar në diskutim dhanë edhe përfaqësues të qeverisjes vendore, institucioneve publike, mediave dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të jetës shoqërore.

Në procesin e moderimit na ndihmoi kolegia Sabra Deçeviq, e cila siguroi që diskutimi të ishte konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Takimi u mbyll me një drekë të përbashkët, duke krijuar hapësirë për rrjetëzim dhe bashkëpunim të mëtejshëm mes pjesëmarrësve.


Ky aktivitet është pjesë e Programit “Rrjeti i qendrave burimore të Malit të Zi”, i cili mbështetet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare, ndërsa zbatohet nga Qendra për Zhvillimin e Organizatatave Joqeveritare (qendra kombëtare burimore), Aktivna Zona, Qendra Demokratike e Bijello Poles dhe Horizontit të Ri (qendra rajonale burimore), si dhe OJQ-të Natura, Bonum dhe Nada në rolin e zyrave lokale.

PARTNERI MREŽA