Me datën, 19.04.2026, organizuam aktivitetin CrossKultura Fest – pjesë e projektit „CrossKultura – Horizont i mirëkuptimit“, i realizuar me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Ky projekt, për disa muaj me radhë, ka afruar të rinjtë nga Ulqini dhe Tivari, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe duke promovuar vlerat e dialogut ndërkulturor.

Në manifestim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale. Ndër ta ishin ministri z. Fatmir Gjeka me bashkëpunëtorët e tij, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit znj. Ivana Popoviq, nënkryetari i Komunës së Ulqinit z. Beqir Sella, si dhe drejtues të institucioneve publike, përfaqësues të shoqërisë civile, mësimdhënës dhe nxënës nga Ulqini e Tivari. Prania e tyre e dha peshën e duhur këtij aktiviteti dhe theksoi rëndësinë e tij për komunitetin lokal.
Protagonistët kryesorë të mbrëmjes ishin nxënësit e Shkollës së Mesme „Vëllazërim – Bashkim“ Ulqin, të cilët me angazhimin, energjinë dhe kreativitetin e tyre dëshmuan se bashkëpunimi ndërkulturor nuk është vetëm ide, por realitet që forcon kohezionin shoqëror dhe krijon një komunitet më solidar e më të hapur. Përveç programit kulturor, ata përgatitën edhe një shtruarje të pasur me specialitete tradicionale, duke e bërë atmosferën edhe më të ngrohtë dhe duke treguar mikpritjen që e karakterizon komunitetin tonë.
Horizonti i Ri, tashmë mbi 25 vite, vazhdon të fuqizojë të rinjtë e Ulqinit dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi me bashkëmoshatarët e tyre në gjithë Malin e Zi e më gjerë.
CrossKultura Fest ishte dëshmi e gjallë se kur të rinjtë bashkohen, kultura bëhet ura më e fortë e mirëkuptimit.

Projekti realizohet në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të thirrjes publike “Mali i Zi – vend i ndërkulturës: Përmes ndërkulturalizmit drejt kohezionit social dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse”, të shpallur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.


Footer