Organizata e shoqërisë civile “Horizonti i Ri” fillon zbatimin e projektit “Të rinjtë, identiteti dhe përkatësia në procesin e integrimeve”, që ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të popujve pakicë përmes programeve të edukimit joformal, i cili realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
Gjatë implementimit të projektit, të rinjtë pjesëmarrës do të përfshihen në një program të gjerë edukativ që përmban: shkollën mbi vlerat identitare dhe proceset e integrimit, punëtori mbi gjuhën, kulturën, traditën, përballjen me stereotipet dhe diskriminimin, si dhe rolin e të rinjve në ruajtjen e identitetit. Në qender të projektit do të jetë kampi edukativ në Plavë e Guci, pastaj vizitat studimore në institucione kulturore dhe arsimore; fushata digjitale e fokusuar në promovimin e vlerave të identiteit dhe proceseve intëgruese.
Aktiviteti përmbyllës do të përfshijë prezantimin e rezultateve të projektit dhe shpërndarjen e diplomave për pjesëmarrësit.
Në kuadër të projektit, të rinjtë do të informohen për ecurinë dhe arritjet e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke analizuar edhe sfidat që ky proces sjell në raport me vlerat e identitetit dhe promovimin e diversitetit.
Projekti synon të fuqizojë kompetencat e aktivistëve rinor nga Ulqini, Tuzi, Plava dhe Gucia për përfshirjen në proceset integruese, si dhe formimin e një grupi liderësh të rinj për t’u angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
Ky projekt realizohet në kuadër të konkursit publik “Integrim me identitet” për financimin e projekteve të OJQ-ve për vitin 2025, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera minoritare në Mal të Zi.