Organizata joqeveritare „Horizonti i Ri“ nis realizimin e projektit „Shkolla e Identitetit dhe Trashëgimisë Kulturore“, i cili u ofron të rinjve mundësinë që përmes edukimit joformal, punëtorive dhe aktiviteteve kreative të njihen nga afër me identitetin, traditën dhe larminë kulturore të popujve pakicë në Mal të Zi.

Gjatë projektit, të rinjtë do të marrin pjesë në sesione edukative, vizita studimore dhe takime me autoritete vendore dhe ekspertë të fushës , ku do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth gjuhës, traditës, kulturës, tregimeve vendase dhe vlerave të tjera identitare të shqiptarëve në Mal të Zi. Rëndësia e këtij projekti qëndron në bashkimin e të rinjve nga treva të ndryshme dhe krijimin e një hapësire ku ata mund të njihen me njëri-tjetrin, të dialogojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre.

Aktiviteti qendror i programit është Kampi Edukativ, i cili do të zhvillohet në fshatin Vuthaj dhe do të mbledhë të rinj nga Ulqini, Malësia, Plava dhe Gucia. Përmes një programi të pasur me sesione debatuese, diskutime dhe aktivitete kreative, kampi do të krijojë mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, njohjen me trashëgiminë kulturore të këtyre trevave dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve.

Përmes realizimit të këtij projekti, Horizonti i Ri synon të kontribuojë në rritjen e interesimit të të rinjve për ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor, të nxisë pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën e komunitetit dhe të forcojë mirëkuptimin dhe respektin ndaj dallimeve që pasurojnë shoqërinë e Malit të Zi.

Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, në kuadër të konkursit publik „Identitetet që na lidhin“, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare pakicë për vitin 2026.


REALIZIMI I PROJEKTIT

Me datën 30 shtator 2026, të rinjtë nga Ulqini, Malësia, Plava dhe Gucia u mblodhën në sallën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, ku u zhvillua hapja solemne e programit „Shkolla e Identitetit dhe Trashëgimisë Kulturore“, një nismë që i dedikohet njohjes, ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në këtë ngjarje, të rinjve iu drejtuan:
Asdren Çelaj – nënkryetar i Komunës së Gucisë
Arben Xhurreta – drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Pakica Kombëtare
Fikret Ljuljanaj – sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit
Dafina Teliqi – gazetare (Koha Javore)
Arbenita Vukaj – mësuese nga Gucia
Jetmir Lajçi – profesor nga Rozhaja


WORKSHOPE TEMATIKE

Në workshopet e para me të rinjtë, u ndalëm te identiteti, përkatësia dhe mënyrat se si përvojat tona familjare, vendi nga vijmë, gjuha dhe traditat ndikojnë në formimin e identitetit.
Përmes diskutimeve dhe punës në grup, të rinjtë ndanë me njëri-tjetrin veçori nga trevat e tyre, duke sjellë fjalë, zakone, tradita dhe përvoja që i bëjnë komunitetet tona të ndryshme, por njëkohësisht krijojnë pika të përbashkëta.
Një pjesë e veçantë iu kushtua edhe gjuhës dhe mënyrave të ndryshme të të shprehurit, duke hapur diskutimin se si dallimet lokale dhe dialektore janë pjesë e pasurisë sonë kulturore.SHKOLLA

Në kuadër të programit të shkollës, u realizuan workshopet e mëposhtme:
Workshopi i parë: „Identiteti im – një pjesë e një mozaiku“, e fokusuar në identitetin, përkatësinë dhe diversitetin kulturor brenda komunitetit shqiptar. Përmes aktiviteteve interaktive, të rinjtë prezantuan traditat, zakonet, gjuhën, ushqimet dhe elemente të tjera karakteristike të trevave nga të cilat vijnë. Përmes aktivitetit „Mozaiku ynë“ u theksua se dallimet kulturore dhe rajonale nuk janë pengesë, por e pasurojnë përkatësinë e përbashkët. Punëtoria u përmbyll me diskutim mbi rëndësinë e njohjes, respektimit dhe vlerësimit të dallimeve tona.

Workshopi i dytë: „Trashëgimia jonë – shumë treva, shumë histori“, e fokusuar në diversitetin kulturor, trashëgiminë lokale dhe rolin e të rinjve në ruajtjen e saj. Përmes aktiviteteve interaktive, pjesëmarrësit prezantuan tradita, zakone, ushqime, këngë, veshje dhe elemente të tjera kulturore nga trevat e tyre. U diskutua për traditat që po humbasin dhe për mënyra moderne të përcjelljes së trashëgimisë, përfshirë videot, podkastet dhe rrjetet sociale. Punëtoria u përmbyll me mesazhin se të rinjtë kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e ardhshëm.


FOOTER sq