OJQ Horizonti i Ri në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale në Ulqin publikoi udhëzuesin për prindërit e vetëm me titull “FUQIZIMI I KOMPETENCAVE PRINDËRORE“.
Udhëzuesi trajton tema që lidhen me të drejtat prindërore, konfliktet midis prindërve dhe fëmijëve; ofron një pasqyrë në llojet e autoritetit prindëror, si dhe jep këshilla të dobishme për tejkalimin e pengesave më të shpeshta në edukimin e fëmijëve. Në këtë broshurë, theks i veçantë është vënë në inkurajimin e atyre që më së shumti kanë nevojë, prindërit e vetëm. Gjithashtu, ky udhëzues u ofron prindërve njohuri për të drejtat tyre, si dhe informacione për mundësitë e realizimit të tyre.
Ky publikim paraqet vazhdimësinë e bashkëpunimit të suksesshëm në kuadër të programit “Shërbimi për Mbështetjen e Prindërve të Vetëm” të iniciuar që në vitin 2012, si një servis i ri social në komunitetin lokale.

Udhëzuesi “Fuqizimi i kompetencave prindërore” është publikimi i pestë me radhë që Horizonti i Ri realizon me Qendrën për Punë Sociale për komunat Tivar dhe Ulqin, duke promovuar kështu një praktikë të mirë në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike.

Botimin e këtij udhëzuesi e financoi Komisioni për Ndarjen e Fitimit nga Lojërat e Fatit, fusha e Mbrojtjes Sociale dhe Aktiviteteve Humanitare (2017).